VEÇORITË GJEOGRAFIKE

VEÇORITË
GJEOGRAFIKE

VEÇORITË GJEOGRAFIKE

Bjeshkët e Nemuna është një masiv malor madhështor i përbërë nga më shumë se dyzetë vargmale të pasura me lugina të pjerrëta, gryka dhe kanione. Ai konsiderohet si vargmali më i gjerë në Gadishullin Ballkanik. Bjeshkët e Nemuna është një rajon ndërkufitar që shtrihet në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, dhe pozicionohet gjeografikisht në Alpet Dinarike të Ballkanit Perëndimor.
Në gjuhën malazeze, vargmali quhet “Prokletije”, që do të thotë gjithashtu “malet e mallkuara “, duke iu referuar ashpërsisë së këtyre maleve të larta dhe vështirësive që përjetojnë banorët e zonës. Lidhur me emrin “Bjeshkët e Nemuna” ka plot legjenda, me të cilat vendasit janë munduar të shpjegojnë origjinën e këtij emri.
Terreni i thyer i Bjeshkëve të Nemuna përfaqëson zonat më të larta të Alpeve Dinarike. Majat më të larta janë Maja e Jezercës në Shqipëri (2694 m), Maja e Gjeravicës në Kosovë* (2656 m) dhe Maja e Zla Kolatës në Mal të Zi (2534 m).
Bjeshkët e Nemuna konsiderohen nga zonat e pakta të paeksploruara tërësisht në Evropë. Ato janë formuar kryesisht nga ndikimet akullnajore në zonat karstike në pjesët perëndimore të rajonit. Këtu janë identifikuar 23 lloje të ndryshme të tokës, gjë që ka krijuar kushtet për biodiversitet të larmishëm. Bjeshkët e Nemuna janë të pasura me lumenj, liqene malore, ujëvara dhe burime natyrore.
Peizazhi i mrekullueshëm malor dhe luginat e Bjeshkëve të Nemuna karakterizohen nga një bukuri e egër, florë dhe faunë të jashtëzakonshme dhe një mënyrë jetese tradicionale që është thuajse unike në Evropë. Sipërfaqja e përgjithshme e rajonit përfshin tre parqe kombëtare: Alpet Shqiptare, Bjeshkët e Nemuna dhe Prokletije, dhe arrin një sipërfaqe prej 3000 km2