21 Feb Kulla e Zymer Fetës-Irzniq – Deçan
Ndër fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit, ku u realizuan shumë ndërtime të kullave është edhe fshati Irzniq. Ne mesin e këtyre ndërtimeve padyshim është edhe kulla e Zymer Fetës.
Kjo kullë u ndërtua në shekullin XIX nga mjeshtrit shkollës Dibrane, në bashkëpunim me mjeshtrit vendor të dalluar në drugdhendje.
Në saje të analizës së kullës vërejmë se mjeshtrit e ndërtimit kishin njohuri të gjera arkitekturore, dhe kanë gjetur mbështetje dhe frymëzim në vendbanimet me sisteme fortifikuese.
Ajo luajti një rol me rëndësi në jetën e familjes Fetaj, ku pos për banim familjar u shfrytëzua edhe për strehimin e bagëtisë.
Monumenti paraqet një shembull tipik të kullave të Rrafshit të Dukagjinit dhe karakterizohet me dyshekllëk të gurit i cili del nga muri perimetral në formë të konzolës në tri anët e kullës.
Struktura e ndërtimit të saj është nga gurët e pa latuar, e të latuar (në qoshe, hapje të dritareve,në porta hyrëse dhe dyshekllëk), si dhe nga druri e llaçi gëlqeror.
Enterieri kullës në masë të konsiderueshme është i përbërë nga druri.
Kulla shtriet në tre kate. Planimetria e bazës së ndërtesës ka dimensione: 9.46m X 11.55m. Ka strehë nga guri i dyfishtë dhe çati me konstruksion druri mbuluar me tjegulla. Çatia përmban edhe dy oxhakë të ndërtuar nga tullat e pjekura.
Kulla e Zymer Fetës në skemën e vet kompozicionale i përmban të gjitha mjediset me funksionet që i kanë edhe kullat tjera trekatëshe.
Kjo ndërtesë në krahasim me kullat tjera në fshatin Irzniq, ka rujtur mjaft mirë gjendjen burimore, pavarësisht se gjatë kohës ju nënshtrua një procesi restaurues nga vet pronari i cili e adaptoj me kërkesat e jetës moderne. Megjithatë në aspektin arkitekturor edhe sot me pak ndryshime ka thuaja të njëjtën shtrirje kompozicionale.
Në përdhese gjendet një shitore në vend të ahurit, hyrja kryesore në kullë është e mbuluar me strehë të drunjtë.
Qasja në kat bëhet përmes shkallëve të brendshme të drurit.
Në katin e parë kemi dhoma të fjetjes, ndërsa në katin e lartë si zakonisht oden e burrave me divanhane, nyjën sanitare dhe dyshekllëkun.
Fasadat e kullës kanë ruajtur mjaft mirë pamjen e tyre origjinale dhe paraqesin një shembull të mirë të intervenimit restaurues.
Aktualisht shfrytëzohet për banim familjar dhe është e hapur për vizitor.
1. Dr. Drançolli; Kulla Shqiptar,Prishtinë 2001,
2. Dr. Drançolli; Rrënimi i kullës shqiptare, Prishtinë 2004,
1.Emertimet dhe referimet
– Emri: Kulla e Zymer Fetës
– Numri Unik: 003316
– Klasa: Monument
– Institucioni: QRTK – Pejë
2.Lokacioni:
– Shteti: Kosovë
– Komuna: Deçan
– Qyteti-Fshati: Irzniq
– Lokaliteti: Irzniq
– Kodi Postar: 51000
– Emri i rruges: Irzniq
3.Lloji funksional dhe datimi
– Lloji(tipi): Kulle
– Periudha:Moderne
– Shekulli: XIX
4.Statusi
– Lloji i mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme
– Data e mbrojtjes: 2012
– Pronesia: Private
– Pronari: Adem Zymer Berishadhe Isa Adem Berisha