Kulla e Shaban Gjukaj-Strellci i ultë, Deçan

Kulla e familjes Gjukaj, e cila është ndërtuar në kohën e Sadri Rrustë Gjukaj në shek. XIX, gjendet në fshatin Strellcë i ulët në Deçan. I takon variantës së kullës me dyshekllëk të gurit që nuk del nga muri perimetral. Dritaret e vogla të dyshkllëkut kanë formë gjysmëharkore dhe shtrihen në dy fasadat e kullës.
Monumenti krahas vlerave arkitekturore shquan edhe me vlera të veçanta historike, ngase në kohën e përgatitjes së Kuvendit të Lidhjes së Pejës, atdhetari i dalluar Haxhi Zeka, me tu kthyer nga Shqipëria, u ndal mu në këtë kullë për të bërë njoftimin për aktivitetet e LKSH-së, pikërisht në prag të mbajtjes së Lidhjes së Pejës.
Gjatë viteve 1908-1912, udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, vendosën që të organizonin një kryengritje të përgjithshme shqiptare për liri dhe pavarësi, për tu çliruar nga zgjedha e sundimit otoman. Pas vendimeve të Kuvendit të Junikut, në Strellc u vendosen forcat e lëvizjes kundër ushtarëve turq që gjendeshin në kazermat e Pejës. Për këtë arsye kulla u dogj nga forcat malaziase në kohën e luftërave ballkanike. Ishte vendtakim edhe i aktivistëve të dalluar të LKSH-së si: Isa Boletini, Bajram Curri, Demë Ali Pozhari etj.

Ndërtesa edhe në aspektin arkitektonik ka vlerë të veçantë. Është tip i banesave të fortifikuara që u ndërtua në kushte të caktuara historike dhe që pati qëllim të caktuar mbrojtës, paralelisht me qëllimin e banimit familjar. Qëllimi mbrojtës dëshmohet në saje të mureve masive dhe lartësisë që ka monumenti, meqë si e tillë shton mbrojtjen dhe sigurinë e familjes.
Është ndërtuar nga materiali i kombinuar, si guri, druri dhe llaçi gëlqeror. Ka kulm me konstrukcion druri, mbuluar me tjegulla tradicionale.

Objekti ka shtrirje kompozicionale në tri etazhe:
Kati përdhes është hapësirë funksionale një pesëshe. Si zakonisht është përdorur për strehimin dhe ushqimin disa ditor të kafshëve (ky kat vazhdon të ketë destinimin e njëjtë edhe sot ).
Hapësira e përdhesës ka shkallët të cilat shpijnë në katin e parë. Kati i parë përmban dhomat e fjetjes të cilat janë të rreshtuara njëra pranë tjetrës. Dimensionet e tyre janë shumë të vogla, aq sa mund të vendoset një shtrat dhe arkat për rrobe. Por në këto kthina ekziston një oxhak dhe hamamxhiku. Ky mjedis nuk posedon dhomën e zjarrit, sepse ajo gjendej në aneksin e kullës, që sot nuk ekziston. Në korridorin e katit gjenden shkallët që të dërgonin në katin e dytë, aty është korridori i ngushtë që krijon lidhjen me nyjen sanitare, divanhanen dhe oden e burrave. Oda konsiderohet si pjesa më e bukur e ndërtimit, dhe përmban të gjitha elementet funksionale dhe estetiko-artistike.

Divanhanja është një hapësirë në hyrje të odes së burrave. Ajo përmban edhe “baxhën e ujit”. Ka numër të konsiderueshëm dritaresh të hapura në gurë, e që gjenden në pjesën e sipërme të saj. Gjithashtu përmban oxhakun dhe rrugën për në nyjën sanitare.
Kulla ka pasur intervenime përgjatë kohës, ku janë bërë disa ndryshime, si në dritare ku kemi hapje të reja.
Aneksi që ishte i ngjitur për kullë në të kaluarën është larguar. Gjithashtu edhe vëzhgorja nën kulm nuk ekziston më.
Megjithatë pavarësisht se nuk i ruan të gjitha elementet e gjendjes fillestare prap se prap ka vlerën e vet arkitektonike e historike. Pas luftës së fundit është bërë intervenim emergjent nga MKRS-ja. Intervenimi është bërë në çati, në muret e kullës ku ndodheshin disa të qara, në dy dyert hyrëse, në strehë dhe në dyshekllëk, (në dritaret e Odës së burrave). Objekti është në shfrytëzim të familjes dhe është i hapur për vizitor.

1.Emertimetdhereferimet
– Emri: Kulla e ShabanGjukaj
– NumriUnik: 003149
– Klasa: Monument
– Institucioni: QRTK – Pejë

2.Lokacioni:
– Shteti: Kosovë
– Komuna: Deçan
– Qyteti-Fshati: Strellciiulët
– Lokaliteti: Strellciiulët
– KodiPostar: 51000
– Emriirruges: Strellciiulët

3.Llojifunksionaldhedatimi
– Lloji(tipi): Kullë
– Periudha:Moderne
– Shekulli: XIX

4.Statusi
– Llojiimbrojtjes: Nënmbrojtjetëpërkohshme
– Data e mbrojtjes: 2012
– Pronesia: Private
– Pronari: Shaban Gjukaj