21 Feb Kulla e Shaban Binakaj – Dranoc, Deçan
Kjo kullë paraqet një shembull shumë të mirë të ruajtjes së gjendjes burimore të një kulle, ku shumica e elementeve janë ruajtur në trajtën origjinale.
Ndërtesa me bazë drejtkëndore, e ngritur në tri etazhe, i takon tipit të kullave me dyshekllëk nga guri i cili del jashtë në formë konzole. Poashtu ka pjesën e shtuar të nyjes sanitare e cila është e ndërtuar nga guri dhe është pjesë integrale e objektit për të tri etazhat.
Në aspektin organizativ kemi të bëjmë me një shembull tipik të kullave të Rrafshit të Dukagjinit.
Me ahurin në përdhesë, ku kemi edhe shkallët të cilat dërgojnë në kat. Përderisa qasja në kat bëhet përmes shkallëve të brendshme dhe të jashtme.
Kati në shtrirjen e vet organizative përmban kthinat e fjetjes (qilarët) dhe korridorin, ndërsa në katin e tretë kemi odën e burrave me divanhane si dhe nyjen sanitare.
Në odën e burrave kanë mbetur të gjitha elementet origjinale të saj, si oxhaku në ballë, dollapët e drurit anash, shikllat në tavanin e rujatur mjaft mirë si dhe raftet.
Në aspektin arkitekturor kulla ka ruajtur gjendjen burimore, duke ruajtur elementet origjinale të saj, me përjashtim të transformimit të dritareve të katit të dytë, në anën e hyrjes në përdhesë.
Dyert e oborrit me strehë të madhe i japin pamje karakteristike kësaj kulle. Gjithashtu edhe porta hyrëse nga guri që gjendet në oborr dhe është e është e ngjitur me kullën e kompleton tërësinë arkitekturore.