Kulla e Sali Gecës-Isniq-Deçan

Kulla e Sali Gecës, me pronar aktual Fazli Gecen gjendet në fshatin Isniq të Deçanit.
Si objekt banimi kjo kullë tri katëshe u realizua nga mjeshtrit shqiptar në shek. XIX.
Theksojmë se ndërtesa si banesë e fortifikuar filloi të ndërtohej në dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XVIII.
Kjo kullë karakterizohet me murin e gurit të dyshekllekut që nuk del nga muret perimetrale dhe që përfshin tërë fasadat gjatësore të divahanes, si dhe dy anësoret deri në murin e odës së burrave.
Kulla e Sali Gecës sikurse edhe kullat tjera të këtij fshati është e ndërtuar nga guri e druri, sipas teknikës së njohur rustika. Të gjitha dritaret e objektit kanë formë gjysmëharkore nga guri i latuar. Sikundër edhe porta hyrëse e cila është realizuar në modalitetin e njëjtë.

Pjesë e tërësisë së mureve janë edhe disa frëngji vrojtuese të cilat evidentohen në katin e sipërm.
Si rrjedhojë fasadat janë mjaft origjinale, ku porta hyrëse dhe dritaret kanë ruajtur gjendjen e tyre burimore. Poashtu edhe dyshekllëku është mjaft autentik, përkundër dëmtimeve që i janë bërë në saje të vjetërsisë.
Çatia ka strehën e gurit dhe është e ndërtuar nga konstruksioni i drurit, e mbuluar me tjegulla tradicionale.
Për dallim nga kullat tjera në Isniq ku shumica i janë përshatur kushteve të reja të jetesës, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur gjendjen burimore. Vazhdon të ketë skemën e njejtë kompozicionale të organizimit të brendshëm.
Në përdhesë gjendet hapësira njëpjesëshe e cila edhe sot përdoret si ahur. Aty ekzistojnë shkallët e brendshme të drurit që të shpiejnë në katin e parë.
Në kat kemi dhomen e zjarrit, të bulmetit, të fjetjes dhe korridorin. Këto mjedise tashmë janë të pabanueshme ndaj edhe mbeten jashtë funksionit.

Ndërsa në katin më të lartë sikurse edhe në kullat tjera ndodhen oda e burrave, divanhanja dhe nyja sanitare, e cila dikur ka qenë e dalur si konzolë, mirëpo tani më nuk ekziston.
Kulla si objekt banimi ishte në shfrytëzim të familjes gjer para luftës së fundit.
Megjithatë pas luftës monumenti ka pasur disa intervenime të pjesshme me karakter të shpëtimit të ndërtesës. Ndërhyrje ka pasur në fasadat e jashtme, të cilat përmes fugimit kanë bërë forcimin e mureve të dëmtuara.
Gjithashtu çatia është rindërtuar, përfshirë këtu pjesën drunore dhe tjegullat.
Kulla në mungesë të mirëmbajtjes është e pabanuar dhe në gjendje jo të mirë. Dëmtime të mëdha shfaqen në brendinë e saj, si në tavane mure, e pozicione tjera.
Është më se e domosdoshme të vazhdohet me faza tjera restauruese konservuese.

1.Emertimetdhereferimet
– Emri: Kulla e SaliGecës
– NumriUnik: 003312
– Klasa: Monument
– Institucioni: QRTK – Pejë

2.Lokacioni:
– Shteti: Kosovë
– Komuna: Deçan
– Qyteti-Fshati: Isniq
– Lokaliteti: Isniq
– KodiPostar: 51000
– Emriirruges: Isniq

3.Llojifunksionaldhedatimi
– Lloji(tipi): Kullë
– Periudha:Moderne
– Shekulli: XVIII

4.Statusi
– Llojiimbrojtjes: Nënmbrojtjetëpërkohshme
– Data e mbrojtjes: 2012
– Pronesia: Private
– Pronari: Gjyle Bajram Murselaj