21 Feb Kulla e Rustem Binakaj-Dranoc, Deçan
Kulla e Rustem Binakaj-Dranoc,Deçan
Në kompleksin e Kullave të Mazrekajve është edhe kullë trekatëshe e Rustem Binakaj. Monumenti gjendet në afërsi të Kullës së Shaban Binakaj. I takon tipit të kullave me dyshekllëk i cili nuk del nga muri perimetral.
Teknika e ndërtimit është rustika,me gurë të gdhendur në qoshe dhe dyshekllëk si dhe gurë të parregullt në pjesët tjera të murit.
Baza e objektit është drejtkëndore, me shkallët e jashtme të drurit si dhe një aneks të ndërtuar nga guri në përdhesë. Kulmi i objektit është klasik meë katër ujëra,dhe t
Organizimi i brendshëm i objektit është krejtësisht i ri , si rrjedhojë e nevojave të reja të banorëve.
Tani edhe përdhesa shfrytëzohet si hapësirë banimi, ndërsa në kat kemi dhomat e gjumit. Gjersa në katin e tretë kemi odën e burrave e divanhanen, ku arrihet edhe përmes shkallëve të jashtme të cilat nga përdhesa dërgojnë direkt në katin e tretë.
Monumenti gjatë ndërhyrjeve është transformuar në masë të konsiderueshme në raport me gjendjen origjinale. Tani në kullë kemi disa hapje të cilat nuk ngjasojnë aspak me hapjet në të kaluarën të cilat ishin të punuara nga gurët e latuar me formë harkore.
Në katin e dytë dhe tretë tashmë kemi dritare të reja kornizat e të cilave janë me formë drejtëkëndore.
Kulla e Rexhë Brahim Binakaj-Dranoc, Deçan
Në mesin e Kompleksit të Kullave të lagjes Mazrekaj, është edhe Kulla e Rexhë Brahim Binakaj.
Pavarësisht se nuk ka vetitë tipike të kullave, prapë se prapë ky objekt paraqet një nën-variant të kullës.
Objekti është dykatësh (sipas njehsimit të popullit) dhe është ndërtuar nga guri, e druri, gjithnjë sipas teknikës klasike të ndërtimit rustika.
Planimetria e bazës së ndërtesës është në formë të shkronjës “T” të deformuar. Kulmi është treujor , me konstruksion druri, mbuluar me tjegulla.
Në përdhesë kemi një organizim të pazakontë , me dy hapësira ndarëse, ku njëra përdorej si shtëpi zjarri, ndërsa tjetra si ahur i bagëtive. Vlen të ceket se njëra pjesë e ka një mur mbajtës të “vetmuar” në vend të shtyllës të cilën e hasim zakonisht në kulla.
Karakteristikë e katit përdhesë është se posedon tre hyrje, ku secili mjedis ka hyrjen e veçantë. Në katin përdhesë gjenden edhe shkallët e brendshme , të cilat shpijnë në katin e parë dhe krijojnë komunikim me një korridor i cili lidh tre dhoma si dhe me korridorin tjetër ku hyhet në odën e burrave.
Lidhja me këtë kat bëhet edhe përmes shkallëve të jashtme të drurit të cilat dërgojnë në hapësirën e divanhanes prej nga hyhet në odën e burrave.
Monumenti ka pësuar transformime të dukshme përgjatë kohës, gjithnjë në saje të nevojave për banim modern. Në kornizat e dritareve të odës ndërhyrjet janë të dukshme, ku në vend të dritareve tipike me kornizë rrethore, tani kemi formë drejtkëndore.
Dritaret e dyshekllëkut nuk kanë harqe por kanë një përfundim të drejtë dhe kualiteti i përpunimit të gurëvë është mjaft i thjeshtë për të mos thënë i dobët.
Gjersa vetëm njëra nga tre hyrjet në përdhesë ka ruajtur formën e saj origjinale me kornizë harkore, sikundër që edhe dera e jashtme në kat vazhdon të ketë formë gjysmëharkore me gur të latuar.
Kulla vazhdon të shfrytëzohet nga familja.