21 Feb Kulla e Kuklecëve – Isniq
Në afërsi të qendrës së fshatit Isniq të Deçanit, si pjesë përbërëse e kompleksit të vjetër, ndodhet Kulla trekatëshe (gjithnjë sipas njehsimit të popullit) e quajtur Kulla e Kuklecëve.
Monumenti i realizuar në dekadat e fundit të shek. XVIII është njëri ndër shembujt e rrallë të tipit të kullave me dyshekllëk të drurit që shtrihet në tri fasada (në gjithë ballin dhe pjesërisht nga ana e majtë e ballinës) që ka mbijetuar deri në ditët e sotme.
Sikurse edhe në kullat tjera funksioni i Kullës së Kuklecëve është banimor me elemente të fortifikimit.
E shtrirë në tri etazhe, ka strukturë të ndërtimit nga guri (i latuar, e i pa latuar llaqi gëlqeror, e druri. Me konstruksion të kulmit nga druri, me çati të thjeshtë katër ujore, është e mbuluar me tjegulla tradicionale. Përderisa kompozicioni arkitekturor , sikundër edhe në kullat tjera të Dukagjinit, ka këtë radhitje. Kati përdhese, ishte hapësirë e lirë funksionale njëpjesëshe që shfrytëzohej si ahur. Përmes shkallëve të brendshme të drurit krijohej komunikimi me kate. Në katet e sipërme ishin të radhitura mjediset për familje, si korridori, dhoma e zjarrit dhe kthinat për fjetje në katin e parë, ndërsa oda e burrave me divahane në katin më të lartë.
Nga volumi kubik i kullës i ndërtuar nga guri, projektohen jashtë vetëm dyshekllëku dhe nevojtorja nga druri, të dyja origjinale. Siç dihet strukturimi i dyshekllëkut është diktuar nga pozita e kullës në oborr dhe nga ana e rrugës.
E veçanta e kullës qëndron mbi atë që në katin e saj të dytë, gjendet galeria e drurit që njihet si “dyshekllaku” i drurit.
Kjo kullë përpos vlerave historike, karakterizohet si ndërtim i veçantë arkitekturor me vlera të theksuara artistike e tradicionale. Krahas eksterierit që shquan për veçanti stilistike, edhe enterieri i ndërtesës përmban vlera të patjetërsueshme estetiko-artistike.
Objekti ka pësuar disa transformime të vogla përgjatë shek. XIX, ku për shkak të rritjes numerike të anëtarëve të familjes, i shtohet edhe kulla njëkatëshe me shtrirje horizontale e cila me pak intervenime ruhet edhe sot. Veç shkallëve të jashtme nga druri që tashmë i ka humbur, kulla në aspektin kompozicional nuk ka pësuar shumë ndryshime.
Sikundër edhe pjesa dërmuese e kullave të Dukagjinit edhe këtë kullë e përcolli fati I njëjtë, ajo u granatua nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë në vitin 1998.
Megjithatë pas luftës, për shkak të vlerave që kishte ndërtesa në vitin 2001 ju realizua konservimi , ndërkaq në vitin 2002 përfunduan punimet restauruese, si pjesë e projektit “Restaurimi i Pesë Kullave në Kosovë” projekt ky i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe SIDA suedeze. Ndërtesa sot shfrytëzohet për banim.
1.Emertimetdhereferimet
– Emri: Kulla e Kuklecëve
– NumriUnik: 002613
– Klasa: Monument
– Institucioni: QRTK – Pejë
2.Lokacioni:
– Shteti: Kosovë
– Komuna: Deçan
– Qyteti-Fshati: Isniq
– Lokaliteti: Isniq
– KodiPostar: 51000
– Emriirruges: Isniq
3.Llojifunksionaldhedatimi
– Lloji(tipi): Kullë
– Periudha:Moderne
– Shekulli: XVIII
4.Statusi
– Llojiimbrojtjes: Nënmbrojtjetëpërkohshme
– Data e mbrojtjes: 2012
– Pronesia: Private
– Pronari: Time Kukleci