21 Feb Kulla e Haxhi Ramë Mazrekaj- Dranoc,Deçan
Pjesë e kompleksit të kullave të Mazrekajve, është edhe Kulla e Haxhi Ramë Mazrekaj, e cila poashtu i takon mënyrës së njëjtë të ndërtimit rustika.
Ndërtesa ka etazhitet P +2, me planimetri të bazës drejtkëndore dhe i takon tipit të kullave me dyshekllëk guri të dal nga muri perimetral në formë anëcaku.
Objekti i përshtatur për kushtet e reja të banimit, deri diku i ka humbur veçoritë klasike të kullave. Kulla tani përdoret kryesisht si objekt banimi .
Ishte pjesë e programit bed &breakfast (strehim dhe ushqim për vizitorët) ku përdhesa është shndërruar në hapësirë shumë funksionale, ndërsa në katin e parë janë adaptuar dhomat e gjumit për turistë. Përderisa në katin e tretë(sipas njehsimit të popullit) është oda e burrave dhe divanhanja, të cilat përmbajnë elementet funksionale estetiko – artistike.
Kulla ka dy hyrje, atë në përdhesë për familjarët, dhe hyrjen në katin e sipërm, e cila përmes shkallëve të jashtme të drurit të shpie direkt në katin e tretë, ku gjendet oda e burrave.
Ka kulm me konstruksion druri katërujor, mbuluar me tjegulla gjysmëmediteran.
Edhe Kulla e Haxhi Ramë Mazrekaj, ka pësuar ndryshime gjatë ndërhyrjeve restauruese nga CHwB-ja.
Transformime të theksuara ndeshim rreth dritareve, ku kornizat origjinale harkore janë ndryshuar dhe disa prej tyre janë zëvendësuar me drejtkëndore, gjë që e bën të jenë në disharmoni me arkitekturën e kullës. Mungesa e harmonisë vërehet sidomos në pjesët e odës së burrave ku janë ende gjurmët e kornizave të vjetra dhe shihet qartë forma e vjetër. Gjatë intervenimit dyshekllëkut i është kthyer forma origjinale.