21 Feb Kulla e Gjyle Kadrijaj-Rastavicë, Deçan
Në fshatin Rastavicë të Deçanit, e ndërtuar në Shek. XIX, gjendet një kullë trekatëshe(sipas njehsimit të popullit) e njohur si Kulla e Gjyle Kadrisë.
Kulla që është e ndërtuar nga guri i murrmë i zonës (sikurse edhe Xhamia e Baballoqit fshat i cili gjendet në afërsi të Rastavicës) i takon tipit të kullave me dyshekllëk nga guri dalë nga muri perimetral në formë konzole.
Planimetria e katit bazë është kënddrejtë drejtkëndore, me dimensione 9.4 m x 11.35 m. Kulmi është katërujor i mbuluar me tjegulla tradicionale.
Struktura e ndërtimit është rustika, nga gurë të latuar në kënde dhe gur të papërpunuar në fasada, me llaç gëlqeror, si dhe hatulla druri.
Ndërtimi klasik paraqet një shembull tipik të kullave me shkallë të jashtme nga guri të cilat shpijnë gjer në katin e dytë. Ndërsa kullës kohësisht më vonë i janë shtuar edhe një palë shkallë në pjesën e jashtme, të ndërtuara nga druri, të cilat janë realizuar për të krijuar komunikimin e jashtëm me katin e sipërm, gjegjësisht odën e burrave.
Në aspektin organizativ kulla është tipike me kullat tjera dukagjinase. Përdhesa krahas ahurit, përmban edhe një dhomë si hapësirë e veçantë. Brenda kësaj hapësire gjendet një shtyllë e cila e mban konstruksionin meskatësh. Gjithashtu në këtë kat gjendet porta hyrëse nga druri, me profil nga guri i përpunuar, si dhe shkallët e drurit që krijojnë komunikimin me kate.
Në katin e parë kemi dhomat e fjetjes dhe dhomën e zjarrit, por edhe korridorin e zgjeruar. Ndërsa kati më i lartë shquan për organizim të ndryshëm dhe jo tipik për kullat, ku qasja për në divanhane dhe odën e burrave bëhet nëpërmjet një korridori shtesë.
Monumenti përgjatë kohës ka pësuar transformime. Posaçërisht në fasada evidentohen intervenimet dhe ndryshimet e kushteve të banimit. Ndryshimet që më së shumti bien në sy janë shkallët e shtuara nga jashtë, të cilat dërgojnë në katin e tretë, e që në masë të konsiderueshme humbin estetikën e monumentit. Edhe ndërhyrja në dyshekllëk, ku janë mbyllur dritaret e vogla origjinale dhe në vend të tyre është bërë një hapje e madhe jo kompatibile me arkitekturën e kullës ndikon në humbjen e vlerave estetike të saj, pavarësisht se numër i konsiderueshëm i dritareve tjera kanë ndryshuar në formë, prapëseprapë qëndrojnë në më shumë harmoni me objektin.
Monumenti pas luftës, në vitin 2013 është restauruar nga CHwB, mirëpo në afat shumë të shkurtër kohor kulmi ka filluar të pikoj dhe si pasoj ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në katin e sipërm. Prandaj paraqitet nevoja për ndërhyrje.
1.Emertimetdhereferimet
– Emri: Kulla e GjyleKadrijaj
– NumriUnik: 003317
– Klasa: Monument
– Institucioni: QRTK – Pejë
2.Lokacioni:
– Shteti: Kosovë
– Komuna: Deçan
– Qyteti-Fshati: Rastovicë
– Lokaliteti: Rastovicë
– KodiPostar: 51000
– Emriirruges: Rastovicë
3.Llojifunksionaldhedatimi
– Lloji(tipi): Kullë
– Periudha: Moderne
– Shekulli: XIX
4.Statusi
– Llojiimbrojtjes: Nënmbrojtjetëpërkohshme
– Data e mbrojtjes: 2012
– Pronesia: Private
– Pronari: GjyleDinëKadrijaj