21 Feb Kulla e Bajram Xhafer Lekaj – Lumbardhë, Deçan
Në fshatin Lumbardhë të Deçanit gjendet një kullë dykatëshe (sipas njehsimit popullor) e njohur si kulla e familjes Lekaj, tani pronë e Bajram Xhafer Lekaj.
Kulla si objekt banimi u realizua nga mjeshtrit shqiptarë në fund të shekullit XIX.
Monumenti paralelisht me vlerat arkitekturore, përmban edhe vlera historike. Është i njohur fakti se kulla ishte vendtakim ku ishin të strehuar pjesëtarët e LKSH-së. Gjithashtu në këtë kullë në kohën e aksionit të pajtimit të gjaqeve në Kosovë ( që udhëhiqej nga Anton Qeta) ishin pajtuar shumë gjaqe. Fryma atdhetare e përshkoj familjen dhe këtë truall edhe përgjatë luftës së fundit në Kosovë 1998/99, ngase pikërisht në këtë periudhë kohore Familja Lekaj i dha kombit ushtarin e UÇK-së, Dëshmorin Bajram Xhafer Lekaj.
Kulla vlerësohet edhe në aspektin arkitektonik. I takon tipit të kullave me dyshekllëk guri i cili ndodhet në kuadër të murit perimetral, pra pa anëcak të dalë.
Struktura e ndërtimit është nga gurët, druri dhe llaçi gëlqeror, gjithnjë sipas teknikës rustika.
Shtrirja kompozicionale e ndërtesës është vertikale, në tri etazhe, me bazë drejtkëndore, e me dimensione 8.40m x11.15m.
Monumenti dy hyrje në përdhese dhe një në katin e parë me shkallët e jashtme të punuara nga druri.
Kati përdhese është hapësirë funksionale një pjesëshe. Krahas dritareve të vogla, aty gjejmë tri shtylla, si dhe shkallët të cilat dërgojnë në kat. Në të kaluarën përdhesa është përdorur për strehimin dhe vendosjen e ushqimit të kafshëve, ka dy portahyrëse dhe shkallët për në katin e parë dhe të dytë.
Në katin e parë ndodhet mjedisi kryesor që njihet si “shtëpia e zjarrit” apo “dhoma e grave”. Përmbante një oxhak të madh i cili krahas ngrohjes shërbente edhe për përgatitjen e ushqimeve familjare. Në kuadër të këtij mjedisi ishin edhe elementet tjera të nevojshme. Në qoshe ishte e vendosur magjja ku gatuhej buka, çerepët dhe saçet, si dhe elemente tjera të nevojshme për jetesë. Kati kishte edhe dy dhoma të fjetjes dhe një dhomë bulmeti (çarranik), mjediset e fjetjes kishin dimensione të vogla, aq sa mund të vendoset një shtrat dhe arka për rrobe.Në katin e sipërm ku arrihet përmes shkallëve kemi korridorin e ngushtë i cili lidh odën e burrave dhe divahanen, si dhe nyjën sanitare.
Oda e burrave e cila paraqitet në katin e sipërm është pjesa më e bukur e ndërteses. Kjo hapësirë vazhdon ta ruaj thjeshtësinë. Në tërësinë e elementeve funksionale përmban oxhakun e vogël për nxehje dhe për pjekjen e kafes, dollapin për enët e vogla, si dhe çergen e vogël dhe të madhe të mbuluara me disa qilima. Mjedisi përmban tavanin prej shikllave, raftet e profilizuara, dollapët, trapazanin si dhe derën e odës së burrave, të gjitha këto të gdhendura dhe të punuara nga druri.
Divanhanja është hapësirë që lidhet me odën e burrave. Në të gjendet edhe baxha e ujit. Gjithashtu ka një formë të dollapit të thelluar në mur. Ky mjedis ka numër të konsiderueshëm të dritareve, të cilat janë të hapura me formë harkore dhe gjenden në pjesën e sipërme të divahanës.
Monumenti ka kulm me konstruksion druri katërujor, mbuluar me tjegulla të tipit gjysmë mediteran.
Përgjatë kohës kulla ka pësuar transformime në hapjet e fasadave, posaçërisht në dritaret e katit të parë. Shumica e dritareve nuk i kanë kornizat origjinale nga guri por në vend të tyre dritare drejtkëndore të cilat kanë dimensione dhe forma të ndryshme. Edhe struktura e murit ka pësuar ndryshime dhe është mjaft e larmishme në dukje.
Aktualisht është në gjendje jo të mirë, thuaja para rrënimit, dhe ka nevojë për ndërhyrje restauruese konservuese.
———————————————————————————————————————
1. IAP; Gjurmime Albanologjike-Foklor dhe Etnologji, dr. Mark Krasniqi; Shtëpit
shqiptare në Kosovë, Prishtinë 1971.
2. Dr. Fejaz Drançolli; Kullat Shqiptare, Prishtinë 2001,
3. MKRS; Trashëgimia e evidentuar në Kosovë, Prishtinë 2005.
4. Dr. Fejaz Drançolli; Rrënimi i kullës shqiptare, Prishtinë 2004.
1. Emertimetdhereferimet
– Emri: Kulla e Bajram (Xhafer) Lekaj
– NumriUnik: 003527
– Klasa: Monument
– Institucioni: QRTK – Pejë
2. Lokacioni
– Shteti: Kosovë
– Komuna: Deçan
– Qyteti-Fshati: Lumbardh
– Lokaliteti: Lumbardh
– KodiPostar: 51000
– Emriirruges: Lumbardh
3. Llojifunksionaldhedatimi
– Lloji(tipi): Kullë
– Periudha: Moderne
– Shekulli: XIX
4. Statusi
– Llojiimbrojtjes: Nënmbrojtjetëpërkohshme
– Data e mbrojtjes:
– Pronesia: Private
– Pronari: Bajram (Xhafer) Lekaj